Presidenti në largim i SHBA-ve Joe Biden zgjeroi kategoritë e personave që u nënshtrohen masave ndëshkuese të SHBA-së, në lidhje me cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që minon sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike.

Me këtë urdhër ekzekutiv, Biden ka ndërmarrë hapa shtesë, duke ndryshuar dhe plotësuar tre urdhrat që lidhen me Ballkanin Perëndimor nga viti 2021, që kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkani Perëndimor.
Rregullorja e re shton se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti i Thesarit i SHBA-së, në konsultim me Departamentin e Shtetit, përcakton të jetë një drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme ose ndaj të cilëve ka një bllokim të aseteve.
Gjithashtu, masat zbatohen për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose shërbime mbështetëse, për çdo person, të cilit i bllokohen asetet dhe interesat në asete në përputhje me atë rregullore. Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.



