Interesi për apartamentet në bregdet mbetet i lartë edhe në kulmin e sezonit turistik, ndërsa agjentët dhe sipërmarrësit e pasurive të paluajtshme thonë se blerësit kryesorë vijojnë të jenë shqiptarët e diasporës dhe ata të Kosovës. Sipas tyre, çmimet nuk kanë shënuar ulje, ndërsa tregu po hyn në një fazë më të matur, ku blerjet bëhen pas analizash më të kujdesshme.
Në emisionin “MCN Economy”, ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme Armand Shkëmbi dhe sipërmarrësit Astrit Lika dhe Orgest Beti analizuan zhvillimet më të fundit të tregut, profilin e blerësve dhe ecurinë e çmimeve.
Sipas sipërmarrësit dhe ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, Astrit Lika, kërkesa për prona në Golem është rritur ndjeshëm vitet e fundit, falë zhvillimit të zonës si në turizëm ashtu edhe në ndërtim.
Prej disa vitesh në zonën e Golemit kërkesat kanë qenë në rritje, sepse Golemi ka pasur një zhvillim të rëndësishëm në turizëm, si në shitblerje ashtu edhe në turizmin ditor, i cili është mjaft i kënaqshëm për momentin. Nëse flasim për apartamentet, çmimet minimale variojnë nga 1.200 deri në 1.500 euro për metër katror.
Kemi një treg të mirë me blerës nga Çekia dhe Polonia, ndërsa ka edhe gjermanë e italianë, por në numër më të vogël. Diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë prezente dhe vazhdon të mbetet shumë aktive, ndërsa nga Shqipëria dominojnë blerësit nga Tirana dhe Elbasani.
Zonat më të kërkuara janë nga Përroi i Agait deri në Qerret, ku standardi është pothuajse i njëjtë. Mendoj se çmimet nuk janë rritur ndjeshëm, sepse Golemi nuk ofron vetëm plazh, por edhe një numër të madh ndërtimesh që u japin blerësve mundësi zgjedhjeje. Edhe në Qerret çmimet janë afërsisht të njëjta, ndërsa diferencën kryesore e bën afërsia me detin.
Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, Armand Shkëmbi, vlerësoi se gjatë muajve të fundit është vënë re një ngadalësim i kërkesës në kryeqytet, ndërsa interesi është zhvendosur drejt bregdetit. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është reflektuar ende në çmimet e pronave.
Kryeqyteti ka kaluar një periudhë stanjacioni gjatë dy muajve të fundit dhe telefonatat kanë rënë ndjeshëm, ndërsa nga data 15 korrik e në vazhdim kërkesat për prona në bregdet janë shtuar. Nuk shoh një ftohje të tregut në bregdet, por vetëm në Tiranë, dhe mbetet për t’u parë nëse kjo do të vazhdojë edhe pas tetorit. Aktualisht kemi rënie të kërkesës, por jo të çmimeve.
Blerësit kryesorë mbeten shqiptarët që jetojnë në emigrim, më pas shqiptarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Pra, janë shqiptarët ata që blejnë prona dhe ende nuk mund të themi se kemi një treg ndërkombëtar të konsoliduar. Të huajt kërkojnë më shumë siguri përpara se të investojnë, ndërsa qytetarët nga Çekia dhe Polonia janë më të gatshëm të marrin risk.
Shqiptarët e Kosovës blejnë kryesisht shtëpi pushimi në bregdet, ndërsa emigrantët shqiptarë investojnë në një pronë të dytë, të cilën mund ta përdorin vetë ose ta japin me qira. Për këtë arsye, një shtëpi në bregdet është një investim i zgjuar. Nga ana tjetër, duhet pasur kujdes, sepse një pjesë shumë e madhe e kursimeve të shqiptarëve po shkon drejt ndërtimit dhe nëse kjo prirje nuk frenohet, ekziston rreziku i krijimit të një flluske në treg.
Sipërmarrësi Orgest Beti theksoi se tregu i pasurive të paluajtshme në bregdet po hyn në një fazë maturimi, ndërsa konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm në vendimmarrje.
Shpesh nuk bëhet e qartë se mbi çfarë metodologjie bazohen vlerësimet për çmimet e apartamenteve dhe nuk dihet me kë konsultohen ekspertët që i publikojnë këto analiza. Është e vërtetë që zhvlerësimi i euros ka ndikuar, por nuk besoj se kjo mjafton për të shpjeguar të gjitha luhatjet e raportuara.
Ose nuk njihen mirë shifrat reale të tregut, ose synohet të goditet sektori i ndërtimit, ndërkohë që ndërtimi dhe turizmi përbëjnë gati gjysmën e ekonomisë shqiptare. Bregdeti shqiptar po maturohet dhe njerëzit nuk bëjnë më blerje impulsive. Ata analizojnë shumë më tepër përpara se të investojnë dhe kjo është një zhvillim pozitiv.
Për shumicën e familjeve, shtëpia është investimi i jetës dhe një banesë pushimi nuk është domosdoshmëri, por një zgjedhje që varet nga të ardhurat. Jo të gjithë mund ta përballojnë një pronë të dytë në bregdet, por për ata që e kanë këtë mundësi, Golemi vazhdon të mbetet një nga alternativat më të përballueshme krahasuar me zonat e tjera turistike.
Pavarësisht luhatjeve të kërkesës mes Tiranës dhe bregdetit, të tre të ftuarit ranë dakord se tregu i pasurive të paluajtshme në zonat turistike mbetet aktiv. Megjithëse çmimet janë rritur vitet e fundit, investimet në apartamente pushimi vazhdojnë të udhëhiqen kryesisht nga shqiptarët e diasporës dhe familjet që e shohin bregdetin si një mundësi afatgjatë investimi dhe të ardhurash nga turizmi.



