
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një nga seancat më të rëndësishme plenare, ku pritet të japë autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për ta çuar atë drejt prangave.
Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, 'arrest në shtëpi' apo 'arrest në burg', i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’.
Ndërkohë nga ana tjetër ashtu sikurse u paralajmërua ditën e hënë, mbahet sot protesta e opozitës para Kuvendit.
Teksa jashtë selisë së Parlamentit opozitarët do të protestojnë kundër qeverisë Rama, në seancë pritet të vendoset mbi fatin e Berishës. Protesta është njoftuar se do të nisë në orën 09:30.



