Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është rezervuar tema kryesore e ballinës në numrin e nesërm të gazetës serbe "Alo".
Thaçi, përveç në Kosovë, sot ishte lajm edhe në Serbi, për nismën e tij ligjore për shndërrimin e FSK’së në ushtri.
Por, kjo gazetë, në këtë rast, trajton një temë tjetër.
Bëhet fjalë për një kompani lobuese amerikane, e afërt me presidentin e SHBA’së, Donald Trump, të cilës Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Jashtme, do t’i paguajë 2.5 milionë euro.
Kjo gazetë shkruan se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për lobim dhe këshillim me kompaninë amerikane ‘Alston and Bird’, e cila për këshilltar ka ish-senatorin republikan, dhe mikun e shqiptarëve Bob Dole, përcjell Metro.
Kjo kontratë, për të cilën më parë është raportuar edhe në mediat në Kosovë, parasheh pagesë mujore prej 71 mijë euro në muaj. / Zëri /



