Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Nevzad Lutfiu, e konsideroi si një çështje jashtëzakonisht serioze dhe shqetësuese atë të tjetërsimit të pronave të shqiptarëve në Serbi. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi rastin e familjes “Luta” Lutfiu theksoi se ka një tendencë për të çrrënjosur çdo gjë që është shqiptare në Medvegjë, ku pas pasivizimit të adresave kanë nisur tjetërsimet e pronave. Ai beson se me dëshminë dhe faktet familja “Luta” do ta fitojë betejën në gjykatë, ndërsa thotë se do të ngrihet alarmi edhe në drejtim të faktorit ndërkombëtar. “Është një fenomen jashtëzakonisht negative që ka prekur prej 3 vitesh qytetarët e Medvegjës, që është ai i pasivizimit të adresave. Tani ka filluar një fenomen edhe më negativ, tjetërsimi i pronave. Bëhet fjalë për një familje shqiptare, me 65 ha tokë, ku toka që ka qenë prej shekujsh në adresë të tyre, i ka kaluar një shtetasi serb në Medvegjë. Disa avokatë kanë hezituar të marrin këtë çështje. Megjithatë ata e kanë gjetur një përfaqësues ligjor. Do kontribuojmë që ky diskriminim të zgjidhet në favor të familjes Luta. Kam takuar disa të afërm të familjes. Bëhet fjalë për falsifikim dokumentesh, sepse askund në Europë nuk ndodh të tjetërsohet prona dhe të kalojë nga një pronar te një tjetër. Vërejta që edhe familje të tjera janë jashtëzakonisht të shqetësuara. Çështja është jashtëzakonisht serioze dhe shqetësuese, kjo që po ndodh në Serbi s’mund të ndodh në asnjë vend të botës. Vërehet një tendencë e hapur që duan të çrrënjosin çdo gjë që është shqiptare në Medvegjë. Pas pasivizimit të adresave kane filluar të tjetërsojnë pronat”, tha Lutfiu. “Vitet e fundit kemi një tendencë jashtëzakonisht të madhe nga mërgata e Medvegjës që të investojnë në vendlindje. Jam i bindur që duke alarmuar faktorin ndërkombëtar, duke u mobilizuar edhe ne faktori politik shqiptar, familja Luta duhet ta fitojë patjetër ta fitojë këtë betejë dhe raste të tilla të mos ndodhin më. Avokati ka paraqitur të gjitha shkeljet, dhe besoj se me dëshmi të fortë dhe fakte të qarta, gjykata do të vendosë në favor të familjes Luta. Diskriminimi ndodh vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Investimet ekonomike nuk vijnë këtu. Kemi mosnjohjen e diplomave të studentëve që kanë studiuar në Kosovë. Emigrimi masiv po ndodh për shkak të mungesës së perspektivës totale në Luginën e Preshevës. Do të trokas në derën e institucioneve shqiptare që ky diskriminim dhe spastrim jashtëzakonisht i dëmshëm të ndalet njëherë e përgjithmonë. Çdo problem që ndodh mes Kosovës dhe Serbisë manifestohet në Luginën e Preshevës. Edhe këtu kemi tendenca për tensionimin e situatës”, shtoi ai.



