
Qytetarë të Fierit dhe të afërm kanë protestuar pasditen e sotme në qendër të qytetit për vdekjen tragjike të katër anëtarëve të familjes Gushi. Në qendër të sheshit “Europa” qëndron fotoja familjare e katër viktimave, Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeçe, Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.

Kjo protestë u organizua nga të afërmit e viktimave, të cilët nëpërmjet pankartave bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes me shpejtësinë teksa udhëtojnë në rrugë.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në aksin rrugoor Fier-Vlorë, ndërsa katër viktimat udhëtonin në drejtim të Vlorës kur u përplasën nga pas nga një “Audi” luksoz që drejtohej nga një 22-vjeçar.




