Gazetari Xhevahir Zhabina, në MCN Live, ka folur mbi shantazhet e pretenduara ndaj pronarit të MCN, Endri Meksi, duke theksuar se çështja po trajtohet më seriozisht nga institucionet e drejtësisë pas vizitës së dytë të kërcënuesve në ambientet e MCN.
Sipas informacionit që kam, prokuroria dhe policia po e marrin seriozisht këtë çështje pas vizitës së dytë që kërcënuesit bënë në MCN. Në të parën pamë një reagim të dobët nga policia dhe prokuroria, pothuajse inekzistente, por rikthimi i atyre personave në dyert e MCN bëri që institucionet të ndërmarrin veprime më serioze.
Ai shtoi se Meksi ka bërë kallëzim me emra konkretë në Prokurorinë e Tiranës, duke përmendur tre individë të caktuar, dhe mbetet në dorë të prokurorisë të thërrasë këta persona për zbardhjen e pretendimeve të tij.
Në dijeninë time, kallëzimi përfshin emra konkretë dhe lidhet me shantazhe që kanë të bëjnë me bizneset e tij, përfshirë bastet sportive, mediat, IT-në dhe fusha të tjera ku Meksi operon prej vitesh. Endri nuk ka asnjë kompleks për të zbardhur këtë të vërtetë.
Gazetari gjithashtu vuri në dukje se një nga pistat kryesore të dyshuara për këto kërcënime mund të lidhet me bastet sportive, një sektor ku, sipas tij, ka një “luftë të madhe mes njerëzve të interesuar” për të mbajtur kontrollin mbi fluksin e madh të parave që kalojnë nëpër këtë industri.
Ai shtoi se drejtori i ri i Policisë së Shtetit ka përfshirë bastet sportive si një ndër prioritetet kryesore të strategjisë së tij.
Bëhet fjalë për interesa shumë të mëdha, shumë para, të cilat aktualisht qarkullojnë në duart e krimit të organizuar.



