Kreu i Forumit Musliman Shqiptar, Fisnik Kruja, komenton tërheqjen e bërë nga qeveria për ndryshimin e Kodit të Familjes, i cili i jepte të drejtën e birësimit edhe personave të pamartuar ose atyre që bashkëjetojnë prej tre vitesh.
Duke folur për MCN Live, Kruja tha se vendimi i qeverisë për tu tërhequr nga ky ligj është i kënaqshëm.
“Tërheqjen e shohim si reflektim që vjen nga shumë segmente të shoqërisë, lidhur me këtë ligj që për mendimin tonë, përbën një kërcënim për familjen shqiptare. Ne e vlerësojmë tërheqjen e këtij ligji dhe kemi shpresë që qeveria të mos merret më me ndryshimin e Kodit të Familjes, i cili është i mirë dhe siguron qëndrueshmërinë e familjes shqiptare”, u shpreh Kruja.
Ndër të tjera shtoi se interesi në radhë të parë është të dominojë fati i fëmijës, por siç tha ai, një prind i vetëm nuk mund ta garantojë, “pasi fëmija ka nevojë për prindër normalë”.
Lidhur me birësimin nga komuniteti LGBT, Kruja ngriti si shqetësim problemin e pedofilisë.
Sipas tij Kodi ekzistues i Familjes, ka rregulla shumë të rrepta për çiftet që birësojnë fëmijë dhe ka konventa rregulluese.
“Ne nuk kemi asnjë problem me komunitetin LGBT, kanë qasjen e tyre, por nuk mund ti imponohen shoqërisë për dëshirat e tyre egoiste, pasi preken fëmijët. Ne jemi të angazhuar që të rezistojmë ndaj çdo përpjekje që bëhet për të mbrojtur këtë kategori njerëzve. Ligji përbën rrezik, nuk akuzoj komunitetin”, tha Kruja.



