Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, ka mbërritur në vendin tonë për një vizitë 3-ditore.
Në një postim në "Twitter" mëngjesin e sotëm, Knut Fleckenstein shkruan: “I lumtur që rikthehem në Shqipëri, axhendë e vështirë dhe bisedime serioze”.
Eurodeputeti gjerman sqaroi dje se qëllimi i ndalesës së tij në Tiranë është i trefishtë. Së pari kërkon të diskutojë me të gjithë aktorët, si në politikë, ashtu dhe në shoqërinë civile, mbi raportin e përgatitur prej tij e të porsamiratuar nga PE-ja. Synimi i dytë ka të bëjë me Reformën në Drejtësi.
Po kështu, Fleckenstein do ta shfrytëzojë këtë vizitë për t’u takuar edhe me përfaqësues të opozitës. Protesta e saj ka përçuar jashtë kufijve mesazhin se nuk ka aspak besim te qeveria për zgjedhje të lira.



