
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkuar sot në Thumanë aty ku janë regjistruar edhe dëmet më të mëdha nga tërmeti dhe numri më i madh i viktimave.
Për Bashën, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria duhet shfrytëzuar.
Basha tha se duhet të merren masa të menjëhershme për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja dhe për sigurimin e atyre që kanë mbetur pa shtëpi.
Basha thumboi qeverinë për shpalljen e situatës emergjente, ndërsa deklaroi se tashmë qeveria ka 5 detyra për të përmbushur sa më shpejt.
"Sot kjo gjendje është shpallur, më mirë vonë se hiç. Tani është momenti që gjendja e jashtëzakonshme mos mbetet në letër. Prioritetet janë të qarta:
Së pari, përfundimi i operacioneve të kërkimit dhe nxjerrjes së viktimave.
Së dyti, dhjetëra qindra familje që kanë mbetur pa strehë k anë nevojë për mbështetje reale, nuk mund të qëndrojnë gjatë në çadra. Duhet bërë vendosja e tyre në apartament dhe mbështetja e tyre me një afat minimal 6 mujor.
Së treti, ngritja me shpejtësi e një strukture të mirë pajisur, blerja e pajisjeve, trajnimi i tyre duhet të trajtohet si një emergjencë.
Së katërti, duhet të merren masa për evidentimin e të gjitha objekteve që janë në rrezik.
Së pesti, duhen masa të menjëhershme dhe energjike për të luftuar shokun, stresin dhe panikun. Kjo nuk bëhet me propagandë, por bëhet duke informuar në çfarë situate ndodhet Shqipëria. Cila janë masat që do marrë masa në raste tërmetesh", tha Basha.



