
"Ajsberg" rikthehet si një emër që ka lënë gjurmë në morinë e emisioneve televizive në Shqipëri. Analiza dhe investigimi do të jenë në fokusin kryesor të emisionit. Do t'i japim zë qytetarit të thjeshtë që nuk ka mundësi të dëgjohet.
"Ajsberg" do të transmetohet çdo të hënë në ora 21:00, në televizionin Fax News, Adria Tv, si edhe në Tema Tv.
"Ajsberg" synon të jetë pjesë e medias e cila tenton të zgjojë qytetarët për të drejtat e tyre. Të ndërgjegjësojë qytetarët për të drejtat e tyre, për t'i kërkuar llogari dhe për të kontrolluar qeverinë; për ta kundërshtuar qeverinë kur ajo kalon sensin e masës dhe shkel të drejtat e qytetarëve të vet.
"Ajsberg" do të hetojë lidhur me dosje të korrupsionit qeveritar. Padrejtësia që vjen nga ligji dhe ata që bëjnë ligjet. Qeverisja qendrore dhe lokale, si është në raport me qytetarët.
Gjykatat, prokuroria, si japin drejtësi për njerëzit e thjeshtë? Grabitjet e pronave dhe kalvari pa fund i pronarëve apo çdo qytetari shqiptar, i cili nuk ka fuqi t'u bëjë ballë njerëzve me pushtet. "Ajsberg" mbetet zgjedhja e parë për një shikues dhe denoncues, i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni kryesor i "Ajsberg" është paanshmëria dhe profesionalizmi.
Duke qenë gjithmonë në kontakt me burimet e informacionit në të gjithë Shqipërinë, "Ajsberg" synon të përcjellë te shikuesit saktësi dhe thellësi për ngjarjet më të rëndësishme në vend.
Artur Çani, i rikthehet edhe një herë asaj që nisi 20 vite më parë për të qënë edhe një herë zëri më i fortë i opinionit publik në fushën e investigimeve. Pas disa tentativave me "Kaktus" dhe "Zëri i Artur Çanit", ai vazhdon aty ku e nisi zhanrin e investigimit, tek Ajsberg.
Ajsberg do të prezantohet në studio nga Artur Çani, i cili do të lajmërojë materialet filmike që do të transmetohen dhe do ta bëjnë më të prekshme temën për publikun, më të qartë dhe do të përpiqen të japin të plotë historinë e investiguar. Stafi i emisionit do të jetë në pritje të çdo denoncimi qytetar.
Stafi i emisionit përbëhet nga gazetarë të rinj dhe me eksperiencë.
Jetmir Olldashi ka qenë gazetar dhe bashkëautor në emisionin Publicus - "Kodrina e vdekjes", si edhe për rreth 3 vjet në emisionin "Të Paekspozuarit".
Arnedo Selmanaj gjithashtu pjesë e ekipit të "Të Paekspozuarve", do të jetë montazhi dhe post-produksioni i Ajsberg.
Flamur Hazbegu, një operator me shumë eksperiencë do të jetë syri i "Ajsberg".



