
Dy shtetasit shqiptarë, babë e bir të akuzuar për vrasjen e djalit tjetër të familjes, kanë dalë ditën e sotme para gjykatës në Kretë të Greqisë. Babai 55-vjeçar akuzohet se vrau me thikë djalin e tij 26-vjeçar. Ndërsa djali tjetër më i vogël, 24 vjeç, bashkëpunoi në krim.
Për këtë ngjarje u morn ë pyetje edhe nëna e viktimës, e cila është shprehur para grupit hetimor se djalin ia vranë për arsye banale. Ngjarja ndodhi ditën e Krishtlindjes. Sipas bashkëshortes së 55-vjeçarit, gjithçka nisi si zakonisht në një atmosferë festive. Më pas, ka deklaruar ajo, në shtëpinë e tyre shkoi edhe e dashura e djalit të vogël 24-vjeçar.
Babai i kërkoi 26-vjeçarit që t’i jepte vëllait laptopin për të zgjedhur muzikën që donte të dëgjonte. 26-vjeçari reagoi ashpër dhe u largua nga shtëpia. Vëllai i tij e ndoqi nga pas dhe filluan të grindeshin. Pas tyre shkoi menjëherë babai dhe u përfshi në sherr, duke goditur me thikë djalin e madh. 26-vjeçari ishte goditur 7 herë me thikë dhe kishte humbur shumë gjak. Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes.
Sipas dëshmisë së nënës, kur në banesë u kthye djali i vogël me duart e gjakosura, kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Ajo doli nga banesa dhe pa në rrugë djalin e saj të therrur me thikë, ndërsa aty qëndronte edhe bashkëshorti i saj që kishte vrarë djalin e tij.
Familja u mundua fillimisht të fshihte ngjarjen, duke pretenduar se djali i tyre ishte sulmuar dhe goditur me thikë nga një person tjetër i panjohur. Por, gjatë marrjes në pyetje, ishte nëna që filloi të tregonte se çfarë kishte ndodhur dhe pastaj vëllai i viktimës që konfirmoi versionin e ngjarjes. 24-vjeçari u paraqit në gjendje të rëndë psikologjike përpara gjykatës, ndërsa mohon që të ketë marrë pjesë në vrasjen e vëllait.

(24-vjecari duke hyre ne gjykate)



