Partia Demokratike zyrtare ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Duke folur mbi këtë padi avokati Rezart Kthupi tha se Rama dhe Veliaj janë paditur pas indicieve të deklaratës së Ahmetaj, ku sipas tij plotësohen kushtet ligjore për një organizatë të strukturuar kriminale. Po ashtu Kthupi paralajmëroi se nesër do të depozitohet në SPAK një kallëzim i ri lidhur me përfshirjen e McGonigal në çështjen e inceneratorëve.
Jo shumë kohë më parë ish-zv.kryeministri Ahmetaj deklaroi që Rama dhe Veliaj janë përfituesit dhe pronarët faktik të inceneratorin e Tiranës, kjo në gjykimin e PD përbën një provë apo indicie për hetime ndaj dy personave. Në gjykimin e PD është krijuar një provë e re, dhe iu drejtuam me një kallëzim bazuar mbi këto incidie kundër dy personave që janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Që të dy janë pjesë e gjithë strukturës së inceneratorëve. Ka dy kategori vartësish, një pjesë që janë akoma nën hetim të inceneratorit të Tiranës, dhe një pjesë të dosjes së Fierit dhe Elbasanit. Plotësohen kushtet ligjore për një organizatë të strukturuar kriminale. Nuk logjikuam vetëm si individ të veçuar Ramën dhe Veliajn. Ky kallëzim duhet të përfshihet në hetimin aktual të inceneratorit të Tiranës. Deklaratat e Ahmetajt ishin indicie, SPAK-u mund të fillonte një kallëzim kryesisht pasi deklaratat janë publike, por për ta nxitur SPAK-un dorëzuam këtë kallëzim, dhe kur të marrë udhë hetimi do depozitojmë edhe prova të reja. Në momentin që do regjistrohet dosja do depozitojmë edhe prova të reja që gjykojmë se janë të rëndësishëm për hetimin. Nuk kemi një informacion publik nëse SPAK s’e ka nisur hetimin kryesisht. Kjo nuk do të thotë se nuk ka ndodhur. Për të bërë funksionin e opozitës kemi vendosur ta bëjmë lëvizjen ligjore dhe ta depozitojmë kallëzimin në SPAK. Përvoja na ka treguar që çdo kallëzim që ne çojmë regjistrohet dhe SPAK është i detyruar të kryejë së paku veprimet hetimore. Se kush do jetë produkti i veprimeve hetimore sot s’mund ta paragjykojmë. Ka një bindje të pranueshme që SPAK dhe GJKKO do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për një hetim profesional mbi këtë kallëzim. Se kush do jetë produkti i hetimit mbetet për t’u parë.
McGonigal është pjesë e një kallëzimi të ri që do depozitohet nesër. Në provat dhe indiciet që ne kemi, na rezulton që ka fakte penale të mjaftueshme për të depozituar një kallëzim penal, dhe për t’i hapur rrugë një hetimi të mundshëm nga ana e SPAK mbi këto kallëzime. Kallëzimin do ta nisim nesër në mëngjes me postë dhe do sqarojmë rrethanat faktike që na bëjnë të mendojmë z.McGonigal ka edhe një përfshirje tjetër që lidhet me inceneratorët. Ajo që është e papranueshme është që subjektet përfituese, bashkia Tiranë, Durrës, Kavajë, nuk marrin shërbimin për të cilin kanë paguar dhe këtu kemi të bëjmë me shpërdorim detyre nga kryebashkiakët. Shkelja e kontratës do detyronte bashkitë që të mos bënin pagesa. Shteti paguan rregullisht përfituesin që është ‘inceneratori’”.
Kthupi vë në dukje që Blinken tregoi më shumë respekt për SPAK-un se sa për Ramën, dhe solli në vëmendje që pas elozheve të një sekretari shteti ndaj një kryeministri, në Shqipëri ka ndodhur menjëherë rotacion pushteti.
Gjuha diplomatike është një gjë, faktet një tjetër. Nuk do kishte sens logjik që nga njëra anë ta ngremë dhe mbështesim SPAK-un dhe nga ana tjetër të mos ta lejojmë atë të kryejë funksionin primar. Sa i përket gjuhës së përdorur nga Sekretari amerikan i Shtetit ndaj z.Rama është një gjuhë e përdorur edhe ndaj z.Berisha dhe faktet kanë treguar që menjëherë pas elozheve ka ndodhur një rotacion pushteti. Përgjegjësia penale do të mbahet pavarësisht elozheve të Blinken-it. Blinken tregoi se kishte më shumë respekt për SPAK-un se sa për Ramën”.
Sipas tij protesta e Rithemelimit nuk do të prodhojë asgjë, duke shtuar se ajo ka dy funksione, operacionin e PR, dhe rivitalizimin e strukturave.
Praktikisht nuk presim asgjë. PD ka bërë protestat më të mëdha në vitin 2019, dhe eksperienca na tregoi që nuk prodhon produkt në elektorat. Protestat duhet të thirren nga shoqëria civile, qytetarët, duhet të jenë spontante, sepse vetëm ashtu reflektojnë një nevojë të elektoratit dhe qytetarëve për të protestuar. Kur thirren nga një parti politike nuk reflekton nevojën e popullit, por të partisë politike. Protesta e nesërme ka dy funksione, e para është një operacion PR për të lidhur figurën e z.Berisha me rrëzimin e bustit të diktatorit, dhe rivitalizimin e strukturave të Rithemelimit, pasi që nga momenti që Berisha është në arrest shtëpie strukturat kanë nisur të reduktohen dhe ky reduktim ka nevojë të pompohet ose të injektohet me një kauzë të re që është kauza e protestave. Kemi sondazhe të fundit që aksioni opozitar, kaosi në Kuvend, kanë efekt negativ në 83 për qind të popullatës”.



