Ministri i Brendshëm italian thotë se kur është fjala për grupet e trafikimit të drogës nuk duhet të ketë të paprekshëm. Në përfundim të prezantimit të raportit të Guardia di Finanzas për kanabisin në Shqipëri, Miniti theksoi se pavarësisht rezultateve të kënaqshme, duhen goditur “të paprekshmit” në Shqipëri.
“Operacionet e suksesshme duken në kohë, kemi arritur në rezultat të jashtëzakonshëm dhe duhet ta mbajmë edhe për vitet e ardhshme. Do të keni bashkëpunim të plotë nga ana jonë. Ne duhet ti godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë trafiqet, duhet të godasim të ashtuquajturit të paprekshëm, se ne Itali, Evropë nuk ka të paprekshëm”, tha ai.
Miniti tha se janë tre aspektet ku duhet të përqendrohet lufta e përbashkët e autoriteteve të dy vendeve.
“Kemi ngritur një bashkëpunim që nga pikëpamjta gjyqësore, operative dhe shkencore ka dhënë rezultate të rëndësishme. Në këtë projekt është angazhuar i gjithë sistemi në Itali. Këtu në Shqipëri, në Tiranë, në Ballkan luhet një lojë e rëndësishme që ka 3 sfida: kanabisi, emigracioni i paligjshëm, terrorizmi. Për këto të tria kemi nevojë për bashkëpunim. Ne po bëjmë sot një hap tjetër përpara.
Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri. Para shumë vitesh shumë prej këtyre që kam përballë ishin shumë të rinj dhe kjo është e jashëtzakonshme për ndryshimin që vendi ka përjetuar. Rruga nga aeroporti deri këtu më dha emocion. Tirana dhe Shqipëria kanë ndryshuar shumë, sigurisht për mirë, por kemi ende probleme për të zgjidhur”, tha ai.



