
Eksperti i Pushtetit Vendor Agron Haxhimali foli në “MCN Economy” lidhur me financimin e pushtetit vendor, ku gjatë vitit 2021 rezultuan me probleme financiare 26 bashki të vendit. Haxhimali tha se kryeministri Rama ka si detyrë t’u jap zgjidhje bashkive dhe t’i mbështesë me më shumë burime.
Kryeministri thjesht i konstatoi, por nuk janë lajmë të reja. Anomalia e 30 qershorit dhe mungesa e këshillave pluraliste e ka dëmtuar jashtë mase këtë çështje. Këshillat e nxisin kryetarin të mos bëjë shpenzime. Llogaridhënia është një element tjetër. Qoftë qytetarët dhe bizneset me këtë nivel ekonomie që kanë ndeshen me faktin e pamundësisë për të paguar. A është niveli ekonomik i bashkive shqiptare që ne të kemi këtë nivel të ardhurash. Mendoj që bashkitë duhet ta zgjeronin bazën e tatimpaguesve, të mblidhnin më shumë të ardhura, se sa t’i rrisnin ato. Performanca në drejtim të shlyerjes së borxhit ka pasur një farë progresi. Kanë shtyrë një borxh, kanë marrë detyrime të reja. Një kryeministër që ka qenë kryetar bashkie, të ketë atë komunikim të anshëm me të zgjedhurit, që duhet t’i kishte kolegë! Kryeministri ka detyrë t’u japë zgjidhje, t’i mbështesë me burime kombëtare bashkitë më shumë”.
Haxhimali theksoi se pas reformës territoriale kishte nevojë që buxheti për bashkitë së paku të dyfishohej. Ai u shpreh se problem mbetet mbledhja e taksës së infrastrukturës dhe banesës.
Pavarësisht anomalive të 30 qershorit, ata drejtojnë institucione kushtetuese. Me bashkitë ndërtohet vetëm dialog. Ai ka komunikim të njëanshëm, vetëm kritikon. Jemi akoma më të nënfinancuarit në Evropën Lindore. Buxheti minimalisht pas reformës kishte nevojë të dyfishohej. Ka vend për kritika dhe duhet t’i zgjeronin edhe ato të ardhurat, por u ke vendosur një seri të mëdha funksionesh dhe përgjegjësish. Duhet të rishikohet edhe kjo. Kryeministri ka mbjellë një kulturë shumë të keqe organizative. Ai duhet të bëjë që këto institucione të kthehen në njësi ekonomike”.
Haxhimali vuri në dukje se duhet përcaktuar modeli territorial dhe organizativ që i shkon Shqipërisë, ku mund të ketë edhe krijim të bashkive të reja, apo shkrirje të dy bashkive në një.
Harta që bënë s’na dha rezultat. Shqipëria duhet të vendosë cili model territorial dhe organizativ i shkon Shqipërisë. Shkuam te 61 bashkitë, kemi këto problemet që kemi sot. Ky numri nuk na i zgjodhi problemet. Klasa politike s’ka përcaktuar nëse qeverisjen vendore e do vetëm me një nivel, bashki. A kemi nevojë për nivele te dyta vendore. Për mua ekzistojnë të dyja opsionet edhe për rritje të numrit të bashkive që janë të mëdha, ku rritet përfaqësimi dhe përgjegjshmëria. Nga ana tjetër mund të shkojë edhe me zmadhim, me shkrirje. Nëse krijojmë bashki kaq të mëdha, për çfarë na duhet niveli i qarqeve. Është rasti i mirë, që ka një komision dhe le t’ia sugjerojnë kryeministrit çfarë modeli i shkon kësaj Shqipërie”.



