
Ekuadori i ka dhënë shtetësinë në muajin dhjetor themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili prej më shumë se pesë vitesh jeton në Ambasadën e Ekuadorit në kryeqytetin e Britanisë, Londër.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Maria Fernanda Espinosa, e cila njoftoi se Assange është pranuar si shtetas i Ekuadorit më 12 dhjetor, pas kërkesës së parashtruar nga ana e tij në muajin shtator.
Ajo e bëri njoftimin pasi gazeta "El Comercio" zbuloi emrin e Assange-it në regjistrin civil në Ekuador.
Espinosa theksoi se Ekuadori ka kërkuar zgjidhje "dinjitoze dhe të drejtë" me qeverinë britanike për Assange-in, duke shtuar se ai nuk do të largohet nga ambasada derisa nuk do të ketë garanci për sigurinë e tij.
45-vjeçari Assange prej më shumë se pesë vitesh jeton në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Gjykata britanike në vitin 2012 kishte vendosur për ekstradimin e Julian Assange-it, shtetas australian, në Suedi, ku akuzohet për përdhunim të dy femrave në vitin 2010.
Pas vendimit për ekstradim, Assange, i cili ndodhej në Britani, në muajin qershor u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shkak të rrezikut për dërgim në SHBA në rast se do të ekstradohej në Suedi.
Policia britanike kishte bërë të ditur se në rast se Assange braktis ambasadën, atëherë do të zbatojë urdhrin për arrest të lëshuar më parë nga Gjykata e Kundërvajtjeve e Westminsterit për shkak të mosparaqitjes së tij në gjykatë në qershor të vitit 2012.



