
Komisioni Evropian njoftoi sot se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër skemës së “pasaportës së artë” që ofron Malta.
Sipas skemës, Malta ofron shtetësinë e BE-së për të huajt në këmbim të një investimi në vend me vlerë rreth 1 milion €.
Meqenëse kjo lloj shtetësie lëshohet pa "ndonjë lidhje të vërtetë me shtetin anëtar në fjalë", ajo "nuk është në përputhje" me "parimin e bashkëpunimit të sinqertë të sanksionuar në Traktatin për Bashkimin Evropian, dhe me konceptin e shtetësisë së Unionit", thuhet në një deklaratë të Komisionit Europian, duke shtuar se për këtë arsye do ta referojë Maltën në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së.
Komisioneri Evropian i Drejtësisë, Didier Reynders, u shpreh në Tuiter se “vlerat e BE-së nuk janë në shitje”.
Qeveria malteze thotë se e ka marrë parasysh veprimin e ndërmarrë nga Komisioni, por shtoi se nuk beson se është në kundërshtim me ligjin evropian.
Komisioni e kishte paralajmëruar Maltën për hapat e mundshëm ligjorë kundër programit në 2020 dhe 2021, por Valeta nuk i ka përmbushur kërkesat për t'i dhënë fund skemës deri më tani.
Ndërsa vendi ka pezulluar skemën për qytetarët rusë dhe bjellorusë pas pushtimit të Ukrainës, skema është ende e disponueshme për qytetarët e vendeve të tjera.
Që kur e prezantoi skemën në vitin 2014, Malta ua ka ofruar marrëveshjen mijëra investitorëve dhe familjeve të tyre.
Qiproja dhe Bullgaria kanë ofruar skema të ngjashme, duke ngritur shqetësime rreth sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe transparencës. Qiproja është ende nën monitorimin e kujdesshëm të Komisionit, pasi e ndaloi skemën vetëm në vitin 2020, por vazhdoi përpunimin e aplikacioneve në pritje deri në korrik të vitit të kaluar. Bullgaria e hoqi plotësisht skemën në vitin 2022.



