
Sipërmarrësi Zef Shtjefni deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion emisionit “MCN Economy” se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka bërë që prodhuesit në Shqipëri të humbin tregun e Kosovës. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Shtjefni tha se një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e eksporteve është dhe dobësimi i euros, gjë që ka bërë që fitimi të jetë zero. Sipas Shtjefnit prodhuesit nuk kanë mbështetje nga qeveria. "Rritja e çmimit të energjisë na ka nxjerrë zbuluar sidomos në tregun e Kosovës. Jemi konkurrentë në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut . Rritja çmimit të energjisë tek ne dhe jo te ata na nxori nga Kosova për 8 muaj më radhë dhe humbën tregun e Kosovës dhe erdhën serbët në vendin tonë. Nuk kemi mbrojtje nga qeveria. Në Kosovë vetëm tani e kanë rritur në 17% çmimin e energjisë për bizneset. Serbia nuk ka luajtur fare. Rritja e çmimit të energjisë nga nxori nga tregu, nga eksportet. Plus është shtuar euro, dobësimi i euros na ekspozon në një risk të jashtëzakonshëm. Dobësimi i euros dhe çmimi i energjisë janë faktorë që e demoralizojnë prodhimin vendas. Duhet të barazohemi me çmimet e vendeve përreth, nëse duhet të jemi kompetitiv kostot duhet të jenë të barabarta. Në Kosovë euro nuk ka lëviz fare, dhe energjia lëviz vetëm tek ne. Të njëjtat produktet që përpara i nxirrje jashtë tani sjellin 30% më pak euro. Je përpara një zero fitimi, nuk kemi motiv për të punuar, tani kemi hyrje të monedhës europiane. Nëse ka një pikë që e kritikoj qeverinë e Ramës, në raportin me biznesin kam kritika se nuk i kanë të qartë konceptet e kapitalizmit. Nëse do ekonomi duhet të kesh prodhim vendas, që të mbash punë dhe valutë brenda vendit. Nëse nuk na mbron qeveria nuk do eksportojmë më, do vijojmë jashtë tregjeve nëse euro është kaq e dobët, nëse nuk kemi mbështetje . Absurde është dhe taksa e transportit, që është veç taksës së rrugës. 45 euro për një tral, për të kaluar në rrugën e Kombit".



