
Vala e të nxehtit ekstrem ka përfshirë 24 orët e fundit edhe Europen Jugore. Shumë shtete si Spanja, Franca, Greqia, Kroacia, Turqia dhe veçanërisht Italia do të regjistrojnë temperatura rekord të cilat mund të arrijnë deri në 48.8 gradë celsius. Si pasojë e temperaturave rekord qytetet e shumë shteteve evropiane kanë aktivizuar nivelet maksimale të alarmit ndërsa nuk kanë munguar as zjarret intensive si ai i orëve të fundit në Grebastica të Kroacisë. Flakët në një masiv pyjor pranë një zone turistike ka detyruar autoritet që të evakuojnë dhjetëra pushues vendas dhe të huaj. Si pasojë e u dha urdhër për mbylljen e rrugëve pranë zonës ndërsa 148 zjarrfikës me 50 mjete dhe 5 avionë u angazhuan për shuarjen e zjarrit. Deri tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar. Kjo verë ka regjistruar temperatura rekord edhe në kontinentet e tjera përveç Evropës si në atë amerikan ku kryeson Kanadaja me qindra vatra zjarri aktive dhe miliona hektarë të shkrumbuar. Përjashtim nuk bën as një pjesë e Azisë me në krye Kinën dhe Indinë. Sipas ekspertëve periudhat jashtëzakonisht të nxehta po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimit të klimës siç është edhe fenomeni El Nino që po zhvillohet në Paqësor i cili ka tendencë rritjen e temperaturave me disa gradë. Edhe pse nuk tingëllon shumë alarmante ndryshimi i klimës e ka rritur temperaturën me 1.1 gradë dhe po i afrohet pragut 1.5 gradë për të cilin bota ka rënë dakord që të mos kalohet. Sipas këtyre të dhënave këto cilësohen si ditët më të nxehta në rreth 125 mijë vite.



