Përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështuan edhe këtë të diele, në tentativën e 32-të, duke thelluar krizën politike dhe bllokimin institucional në vend.
Edhe në këtë seancë, deputetët nuk arritën të bien dakord për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.
Në seancë ishin të pranishëm 75 deputetë, 45 prej të cilëve votuan pro, 1 kundër, ndërsa nuk pati abstenime.
Procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur që nga 15 prilli, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë mundur të sigurojnë shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një interpretim të legjitimitetit të kërkesës së këtyre partive për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kërkesa për formimin e një komisioni mbikëqyrës për këtë proces është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, PDK, LDK, AAK dhe NISMA.
Seanca e radhës është planifikuar të mbahet të martën, duke filluar nga ora 10:00.



