
Rrjeti social “Facebook” ndryshon pamjen e tij në kompjuter. Në fakt ai ka vendosur të shpërndajë në mënyrë progresive versionin e tij më të ri të desktopit për të gjithë përdoruesit. Ndryshimi ishte njoftuar që vitin e kaluar gjatë konferencës së zhvilluesve dhe më vonë u vunë në dispozicion të përdoruesve, të cilët mund të zgjidhnin ta përvetësonin atë dhe t'i dërgonin përshtypjet e tyre kompanisë.
"Ne kemi bërë disa hulumtime në këtë fushë, duke biseduar me përdoruesit për të kuptuar se si ta përmirësojmë këtë përvojë në internet, dhe sot jemi të lumtur t'ju prezantojmë me faqen e re, një pikë e re fillestare për vitet e ardhshme të Facebook.com", shpjegon kompania e Mark Zuckerberg-ut. Në detaje, Facebook-u i ri ju lejon të vendosni "modalitetin e errët", domethënë sfondin e zi - tashmë i pranishëm në aplikacione të ndryshme dhe sistemet operative - i cili të lodh më pak dhe kursen më tepër bateri. Midis ndryshimeve të tjera, një skedar i ri sjell foto dhe video me ekran të plotë.
Pamja e përgjithshme është më e rregullt, me një skemë të thjeshtuar dhe tekst më të madh. Lundrimi është thjeshtuar gjithashtu. Faqja kryesore ngarkohet më shpejt, siç është kalimi nga një faqe në tjetrën. Së fundmi, me qëllim thjeshtësimin, gjithashtu është rishikuar krijimi dhe administrimi i Ngjarjeve, Faqeve, Grupeve etj.



