Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti, e ka cilësuar të pajustifikueshme kërkesën për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke vlerësuar se një iniciativë e tillë ngre pikëpyetje mbi interesat strategjike të Beogradit në rajon.
Në një intervistë, Mehmeti tha se, ndonëse çdo kërkesë për hapjen e një përfaqësie diplomatike duhet të trajtohet në përputhje me marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, në këtë rast mbeten të paqarta arsyet konkrete që e justifikojnë një hap të tillë.
Një kërkesë dhe një iniciativë e tillë duket se është në interes të shtetit serb, duke pasur parasysh se konsullata ka një rol dhe një funksion të veçantë. Në radhë të parë ajo shërben për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të shtetit që përfaqëson në një vend tjetër. Mirëpo, në rastin konkret, duke ditur se numri i shtetasve serbë dhe malazezë në zonën e Shkodrës është shumë i vogël, lind natyrshëm pyetja se cili është qëllimi real i hapjes së saj. Nga këndvështrimi im, një konsullatë serbe në Shkodër është e pajustifikueshme, megjithëse aspekti juridik dhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve duhet të merren gjithashtu në konsideratë.
Ai theksoi se, në teori, një konsullatë ka si mision zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, zgjerimin e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor, promovimin e turizmit, mbështetjen e investimeve dhe lehtësimin e kontakteve mes dy vendeve. Megjithatë, sipas tij, në rastin e Shkodrës, rëndësi të veçantë merr interesi i vazhdueshëm që Serbia ka shfaqur për qasjen në portet shqiptare.
Elementi që e konsideroj më të rëndësishëm në këtë kërkesë është interesi për qasjen në portet e territorit të Shqipërisë. Dihet se Serbia ka shfaqur vazhdimisht interes për Portin e Durrësit dhe kjo e bën edhe më të diskutueshme kërkesën për hapjen e një konsullate në Shkodër. Në të njëjtën kohë, duhet të kuptojmë se cila është strategjia dhe interesi kombëtar i shtetit shqiptar në raport me këtë kërkesë dhe se si ajo përputhet me prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Duke bërë një krahasim me përfaqësitë diplomatike shqiptare, Mehmeti kujtoi hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Ulqin, duke argumentuar se ajo ishte një nevojë reale për shkak të përqendrimit të madh të popullsisë shqiptare në atë komunë.
Para pak vitesh u hap Konsullata e Shqipërisë në Ulqin, ku mbi 75 për qind e popullsisë është shqiptare dhe ekzistonte një nevojë e qartë për shërbime konsullore. Kjo situatë nuk mund të krahasohet me kërkesën e Serbisë për një konsullatë në Shkodër. Përkundrazi, ajo ngre pikëpyetje mbi strategjinë dhe politikat që shteti serb vazhdon të ndjekë në raport me shqiptarët në rajon.
Kreu i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi solli në vëmendje edhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar se aty do të kishte qenë më e arsyeshme hapja e një konsullate shqiptare për t’iu përgjigjur problemeve konkrete me të cilat përballet komuniteti shqiptar.
Duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe proceset e vazhdueshme të shpërnguljes së tyre, do të kishte qenë e arsyeshme që aty të ishte hapur një konsullatë shqiptare. Shumë banorë janë larguar nga vendbanimet e tyre, kanë humbur statusin e vendbanimit të përhershëm dhe përballen me probleme që një përfaqësi konsullore do të mund të ndihmonte t’i adresonte. Ndërsa, në analogji me këtë situatë, hapja e një konsullate serbe në Shkodër krijon përshtypjen se nuk synon vetëm ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit serbë, por është pjesë e një strategjie më të gjerë politike.



