
Një pianist rus dhe aktivist kundër luftës ka gjetur vdekjen në burg pasi kishte hyrë në grevë urie, njoftoi nëna e tij, në atë që Bashkimi Evropian e quajti një rast tronditës të represionit politik.
Vdekja e Pavel Kushnir u raportua për herë të parë nga një faqe ruse e lajmeve të premten e kaluar dhe u konfirmua për median e pavarur Mediazona të hënën nga nëna e tij, Irina Levina.
Një kanal Telegram me lidhje me shërbimet e sigurisë ruse raportoi në maj se Kushnir ishte arrestuar dhe akuzuar për nxitje të aktivitetit terrorist pasi kishte postuar materiale kundër luftës në internet.
Levina i tha Mediazona se një hetues nga shërbimi i sigurisë FSB i kishte thënë se Kushnir vdiq më 28 korrik ndërsa ishte në paraburgim në Birobidzhan në lindjen e largët të Rusisë.
Gjithsesi nuk ështe e qartë se sa kohë kishte qenë në grevë urie. Levina tha se asaj i kishin thënë se i biri ishte i lidhur me një serum intravenoz por me sa duket kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta shpëtuar.
Kushnir ishte një pianist i arrirë koncertesh, i cili kishte studiuar në konservatorin Çajkovski të Moskës.



