Parlamenti Europian ka miratuar sot rezolutën me të cilën dënon sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe humbën jetën tre agresorë serbë.
Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
Sipas rezolutës së miratuar të enjten, "qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë".
Teksti i miratuar dënon në termat më të ashpër të mundshëm "sulmin terrorist nga një njësi paraushtarake e mirëorganizuar serbe kundër policëve të Kosovës".
Eurodeputetët po ndjekin nga afër hetimet e vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht ndodhen në Serbi, duke përfshirë lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë.
Kujtojmë që nismën për rezolutën e ndërmorri grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situata në Kosovë e vlerësua si “jashtëzakonisht shqetësuese”.



