
Konflikti në familjen mbretërore që kulmoi dje me dy denoncime për dhunë nga dy bashkëshortët Leka dhe Elia Zogu u komentua në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”.
Ekrem Spahiu, ish-kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, tha se marrëdhëniet mes dy partnerëve kanë qenë normale deri në momentin e incidentit të shfaqur në video.
Kjo është një ngjarje që ka tronditur opinionin por në veçanti oborrin. Ne jemi vazhdues të linjës mbretërore. Në traditën e familjeve mbretërore, mbreti duke qenë babai i kombit nuk martohet me një vajzë me kombësi të vet. Mbreti Zog u martua me konteshën Geraldinë, mbreti Leka e ruajti traditën dhe u martua me mbretëreshën Suzanë nga Australia.
Princi nuk e ndoqi këtë. U fejua me zonjushë Elian, u bë një dasmë që i kaloi përmasat e Shqipërisë. Kishin përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Mentaliteti i princit Leka është shumë më i avancuar se yni. Elia ka pasur fatin më të madh të një femre shqiptare. Princi e ka trajtuar si princeshë. Por erdhi një moment që martesa nuk funksionoi.
Ata bënë dy marrëveshje. Një për zgjidhjen e marrëveshjes, e kanë firmosur e noterizuar. Marrëveshja e dytë ishte një kontratë për trajtimin e vajzës dhe trashëgimitë që i takojnë.
U futën në lojë edhe segmente të politikës dhe medias. Video e mediatizoi. Princi dhe Elia kishin rënë dakord për divorc paqësor. Princi ishte larguar nga rezidenca por kishte të drejtë dy orë në ditë ta takonte vajzën.
E kam takuar pas ngjarjes. E gjithë propaganda fokusohet që është princi ai që e ka dhunuar. Atë vetë e kanë dhunuar.
Ishim në Burrel, kishte vdekur dikush në Burgajet. Shkuam me princin. Aty tha ca fjalë që mua më mallëngjyen. U tha njerëzve aty: unë jam njeri pa njeri, vetëm juve ju kam. Ai skuqet vetëm kur thotë një fjalë, jo më të godasë njeri. Ai ka qëndruar larg mediave për të mos acaruar situatën.



