
Ministrja e Financave, Anila Denaj, deklaroi sot se në 'Planin e Veprimit' Partia Socialiste synon mbështetje edhe më të madhe për biznesin. Ajo tha se do të jepet 5 mijë grant për çdo emigrant të kthyer që hap biznes në Shqipëri.
Ministrja shtoi më tej se informaliteti ishte ulur këmbëkryq në Shqipëri, ndërsa sipas saj, punonjësit tashmë kanë dalë nga informaliteti dhe u është ulur barra fiskale.
“Kur erdhi PS në Shqipëri ishte ulur këmbëkryq informaliteti. Kur Partia Socialiste lançoi për herë të parë taksimin e drejtë, nuk ua merrte mendja askujt se për mbi 90% të punonjësve do të ulej barra fiskale. Sot, 94% e shërbimeve tatimore ndodhen online.
Kemi rikthyer shpresën për një proces të thjeshtë, kemi rimbursuar TVSH-në në kohë optimale, angazhimi është dhe do të mbetet. Prej 1 janari të këtij viti biznesi i vogël do të paguajë 0 taksa.
Pagesa e taksave do të jetë e gjitha dixhitale. Kemi mbështetur bizneset. Ne do të japim 5 mijë euro grant për çdo emigrant të kthyer që hap biznes në Shqipëri. Shqipëria 2030 është Shqipëria e sipërmarrjes shqiptare, ajo e prodhimeve 'Made in Albania'. Shqipëria 2030 është Shqipëria e të rinjve”, tha Denaj.



