
BE do të heqë gradualisht disa sanksione ndaj Kosovës. Lajmi konfirmohet nga vet Brukseli për KosovaPress, por theksohet se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga një depërshkallëzim i qëndrueshëm në Veri të vendit.
Sanksionet që do të hiqen prekin fusha me rëndësi si energjia dhe infrastruktura. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaron për KosovaPress se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së disa masave.
“Në dhjetor 2024, Këshilli deklaroi se BE-ja do të heqë gradualisht masat, paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Në këtë drejtim, Komisioni ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt heqjes së disa prej masave. Hapat e ardhshëm varen nga përparimi në terren dhe janë të kushtëzuar me një de-përshkallëzim të qëndrueshëm në veri”, thekson ajo.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.



