
Boris Johnson ka ndarë me të tjerët përvojën e hidhur me koronavirusin, duke treguar se si është ndier në momentet më kritike për jetën e tij.
"Ata më dhanë një maskë për fytyrën dhe unë mora litra e litra të tërë oksigjen. Ishte një kohë e vështirë, nuk e mohoj", është shprehur kryeministri britanik Boris Johnson, i cili shpëtoi nga koronavirusi që e detyroi të qëndronte në kujdesin intensiv, me ditë të tëra. Ai ritregon momentet më të vështira të sëmundjes së tij në një intervistë me “The Sun”: "Isha i vetëdijshëm se plane urgjente ishin gati për çdo rast. Mjekët kishin të gjitha llojet e marrëveshjeve në lidhje me çfarë të bënin nëse gjërat shkojnë keq".
Johnson tregon se ndërgjegjësimi i plotë për situatën e tij erdhi kur ai u lidh me monitorues dhe u transferua në kujdes intensiv. "Ishte e vështirë të besosh që brenda disa ditësh shëndeti im ishte përkeqësuar në një masë të tillë. Mbaj mend që isha i irrituar. Nuk mund ta kuptoja pse nuk po përmirësohesha. Gjersa erdhi momenti më i keq me mundësi 50-50 për të vendosur një tub në trake”.



