Pedagogu Ermal Hasimja i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN tha se Forumi për Dialog Politik i organizuar nga një grupim opozitarësh jopartiakë, nuk ka për qëllim bashkimin e partive të vogla me Partinë Demokratike. Sipas tij, forumi ka për qëllim që të gjithë partitë opozitare të bëhen bashkë për të arritur objektivat që janë për interes të qytetarëve.
Hasimja tha se absolutisht qëllimi i tyre nuk është që Sali Berisha të bëhet kryeministër, por qëllimi është që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Partitë e ndryshme të opozitës kanë disa objektiva të përbashkët dhe përpiqemi të rakordojmë që të arrijnë këto objektiva që janë edhe në interesin e përgjithshëm. Nuk bëhet fjalë për tu bashkuar me Berishën dhe qëllimi nuk është që të bëhet ai kryeministër. Në rastin konkret është që objektivat të arrijnë të realizohen.
Të arrijnë të garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të ndërtohet Kodi Zgjedhor që të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë dhe të kemi një mbështetje për sistemin e drejtësisë që godet krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto janë qëllimet dhe nuk është përmendur në asnjë moment se kush do të jetë kryeministër.
Kemi biseduar me Sali Berishën dhe në asnjë moment nuk ka patur diskutim kush do të bëhet kryeministër. E vetmja gjë që ka rëndësi është të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe duhet të jetë një qeveri tranzitore dhe të kemi një Kod Zgjedhor që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.”



