
Një prej bursave më të mëdha të parave virtuale në Japoni, Coincheck, i ka kërkuar ndjesë investitorëve për humbjen deri në 420 milionë euro. Humbja ndodhi pas një sulmi hakerësh në rrjetin e shkëmbimit. Por kjo gjë u bë publike tetë orë më vonë. Kompania me bazë në Tokio, ka pezulluar aktivitetin pasi zbuloi vjedhjen.
Një përfaqësues i Coincheck tha për mediat japoneze se ata do të rimbursojnë konsumatorët e prekur. Shuma që është premtuar të kthehet mbulon gati 90% të 58 miliardë jen të monedhave të humbura gjatë sulmit.
Sipas njoftimit, vjedhja është realizuar duke shfrytëzuar një “portofol online”, me një opsion ruajtje dixhitale të lidhur me internetin, ndërkohë që supozohej se “portofoli”, i aseteve ishte jashtë linje.
Mendohet se janë prekur nga vjedhja 260,000 klientë dhe konfirmohet se ishte vjedhja më e madhe që ka ndodhur në internet. Një tjetër bursë e Tokios, MtGox, u rrëzua në vitin 2014 pasi kishte pranuar se 320 milionë euro ishin vjedhur nga rrjeti i saj.



