Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për zbutjen e masës së sigurisë.
Në vendimin e sotëm Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke bërë që Veliaj të vijojë të qëndrojë në qeli.
Veliaj i cili ndodhet në burg prej më shumë se një viti, kërkoi për herë të tetë zëvendësimin e arrestit me një masë më të lehtë, duke argumentuar se hetimet janë përfunduar.
SPAK ka dërguar kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim pesë muaj më parë, duke ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme shumica e akuzave lidhen me përfitime të parregullta monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që më pas kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.



