
Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Ilir Meta, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Metës për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”, duke konfirmuar vendimin e Apelit të GJKKO.
Avokati Kujtim Cakrani, në një komunikim për emisionin “Të Paekspozuarit”, deklaroi se vendimi ishte i pritshëm dhe se tashmë po përgatitet procedura për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nuk prisnim ndonjë vendim tjetër nga Gjykata e Lartë. E dinim që në Dhomën e Këshillimit nuk ka një analizë të thelluar të rekursit dhe nuk prisnim që të ndryshonin diçka.
Hapi i radhës është ndjekja e procedurave pranë gjykatave më të larta.
Ne po bëjmë procedurën që na duhet për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.Meta e ka të qartë se çfarë kërkon nga drejtësia shqiptare. Ne po ndjekim hapat ligjorë dhe sot e arritëm atë që na duhej, kështu që do të vazhdojmë betejën tonë.



