
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar sot detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe përfitime të paligjshme personale.
Sipas raportit zyrtar, McGonigal ka nxjerrë informacione sekrete hetimore për një rrjet të lidhur me kompaninë kineze CEFC, duke ia kaluar ato një ish-zyrtari shqiptar, me të cilin kishte marrëdhënie personale dhe biznesi.
Në raport theksohet se McGonigal keqpërdori pozitën e tij në FBI për përfitime personale, duke shkelur rëndë rregullat e etikës dhe besimin institucional, si dhe duke minuar integritetin e agjencisë federale.
Në një fashikull 23-faqesh të dosjes hetimore, konfirmohet se McGonigal ka pranuar një shumë prej 225 mijë dollarësh në para të gatshme nga një biznesmen shqiptar me lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare.
Gjithashtu, dokumentet zyrtare tregojnë se gjatë vizitave të tij në Shqipëri, McGonigal ka zhvilluar të paktën dy takime me kreun e qeverisë shqiptare.
Hetimi tregon se ish-agjenti ka marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga një biznesmen shqiptar me lidhje të ngushta me qeverinë.
Po ashtu, ai zhvilloi takime të fshehta në Tiranë dhe New York me ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe dy darka private me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitave të këtij të fundit në Shqipëri.
Një episod i veçantë përmendet më 9 shtator 2017, kur McGonigal i dërgoi një mikut të tij një foto me kryeministrin shqiptar, duke e shoqëruar me mesazhin se ai “po reformonte drejtësinë në Shqipëri” dhe se kjo përfaqësonte “mundësi të mëdha”.
Departamenti e përshkruan këtë marrëdhënie si pjesë të një skeme më të gjerë korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm, ku përfshihen gjithashtu kompani kineze dhe oligarkë rusë.
Sipas dosjes, McGonigal e përdori pozitën e tij për të favorizuar lidhje biznesi në Shqipëri, duke e parë vendin si një mundësi fitimi personal pas daljes në pension nga FBI.
Ai nuk i raportoi kurrë udhëtimet dhe takimet me zyrtarë të huaj, as marrëdhëniet me biznesmenë shqiptarë – një shkelje e rëndë e rregullave të FBI-së dhe ligjeve federale të SHBA-ve.
Në investigim përmendet edhe nje Person B, të cilin McGonigal kishte kërkuar të prezantohej me të. Personi B ishte konsulent për qeveritë dhe bizneset e huaja për investimet ndërkombëtare, dhe, përveç punës së tij për CEFC Kinë, Personi B ishte këshilltar joqeveritar i Kryeministrit të Shqipërisë. Në investigim thuhet se Charles McGonigal ka zhvilluar takim edhe me vetë kryeministrin Edi Rama.
Gjykata federale e Uashingtonit dënoi në shkurt të 2024 me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza.
Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i kishin kërkuar gjykatës, dënimin e zotit McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, siç thuhet në memorandumin lidhur me akuzat për rastin e Shqipërisë.



