
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbajtur sot një konferencë në lidhje me atë që pritet të ndodhë më 6 dhjetor, ditë kur mbahet samiti BE-Ballkan Perëndimor dhe protesta e opozitës.
Ai zbuloi edhe perimetrin e sigurisë për këto delegacione duke e cilësuar “vijë e kuqe, e cila nuk mund të shkelet”.
Rrumbullaku tha se “vija e kuqe” fillon nga Rinasi, në Kashar, e gjitha rruga nga Kashari deri në rrethrrotullimin “Shqiponja” në drejtim të Astirit. Po ashtu, vijohet me zonën e Kopshtit Zoologjik, Unaza e Re, deri në Sauk dhe më pas Rruga e Elbasanit deri në zonën e stadiumit “Air Albania”.
Nisur nga përvoja e aktiviteteve të mëparshme, Policia e Shtetit ka fituar përvojën dhe besojmë se do tregojë përkushtim e profesionalizëm. Duam të sigurojmë qytetarët se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi dhe jetës së përditshme.Rrugët e bllokuara, lëvizja është devijuar në rrugë dytësore. Policia nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por siguria e delegacioneve që do të marrin pjesë në Samit, na imponon të vëmë sigurinë kombëtare e ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar. Nuk e ndalojmë protestën, por garantojmë mbajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë. Kemi besimin e arsyeja do mbizotërojë mbi emocionet, por jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta. Të gjithë rezidentët që janë brenda këtij territori, i vetmi kufizim do të jetë lëvizja me mjete. Nuk do të lëvizet me mjete, por në këmbë. Ky rregull vjen edhe për shkollat. Secili duhet të paraqesë dokumentet për vendin e punës.



