Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje studentëve të ulen në tryezën e dialogut për të shqyrtuar kërkesat që ata kanë ngritur në protestën e tyre. Në lidhjen live në “Facebook”, Rama tha se asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet me ultimatume.
“Unë jam këtu dhe besoj shumë fort se dialogu është i domosdoshëm. Do vijoj të komunikoj dhe të shpjegoj se pse dialogu është rruga e duhur. Qeveria nuk ka kërkuar negociata, por qeveria ka kërkuar dialog. Studentëve ju them se ka një dallim: Negociohet me palëve në konflikt. Ka një dallim. Ne nuk kemi asnjë konflikt. Ne kemi qenë plotësisht në kuptimin e nevojave dhe adresimin e një problematike që është komplekse. Kemi domosdoshmërinë të komunikojmë. Fjala bie: Plotëso kërkesat. Cilat kërkesa? Tarifat e rritura janë produkt i autonomisë. Cilat tarifa kërkoni nga qeveria me ultimatum? Jam dakord që ka probleme me to, por duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Pa dialog nuk shërojmë sëmundjen, por merremi me një simptomë. Askush nuk duhet të mendojë se qëllimet e përbashkëta arrihen me ultimatum dhe forma që nuk i njeh eksperienca demokratike”, tha Rama.
Rama tha se është i gatshëm të diskutojë më studentët që dalin të protestojnë për veten e tyre dhe nuk kanë pas vetes politikën, të cilitdo lloj. Rama pranoi se sistemi arsimor ka probleme, por asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa u adresuar ato.
“Eksperienca demokratike thotë se qëllimi i protestave është të shtrohet problemi në tryezë me qeverinë. Është e drejta juaj, rrini atje por mos mendoni se kërkesat që secili ka në kokë t’ua nxjerrim ne dhe të bëjmë lojë kungulleshkash. Unë jam me çdo student dhe do të isha me ju si secili që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën, jo për komshinjtë, por për veten e tij, shtëpinë dhe të ardhmen e tij. Unë i pres të gjithë. Profesorët që janë pjesë e problemit dhe dalin nëpër banaqe e kujtojnë se ju erdhi dita. E ndiej dhimbjen e atyre studentëve që nuk janë masha politike. Tarifat nuk i vendos qeveria. Kjo vendos një tavan. Duhet zgjidhje, jam dakord. Po pse Zoti jam unë, që t’i zgjidh problemet nga lart? Pa u ulur për të diskutuar?”, tha ai.
Rama tha se qeveria është e hapur të investojë nga buxheti i shtetit për të mbështetur studentët me mesatare të lartë. “I gatshëm për të shkuar më tej kërkesave tuaja për tarifat. Jo vetëm 50%, por t'ua subvencionojë shteti 100% atyre me 9 dhe 10 dhe atyre në ndihmë ekonomike. Por ama duhet dialog, se nuk zgjidhen në eter”, tha Rama.



