
Policia e Lushnjës ka arrestuar dy të rinj, një vajzë dhe një djalë në qytetin e Lushnjës, pasi kanë dhunuar me qëllim vjedhje një të moshuar. Sipas policisë, në pranga është vënë një 18-vjeçar dhe një 16-vjeçare.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, ku dy shtetas kanë hyrë në banesën e shtetases L. Z., 64 vjeçe, i kanë hedhur spraj lotsjellës në fytyrë, kanë ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese. Më pas kanë kontrolluar në banesë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ngrit grupi hetimor dhe pas një pune të mirëorganizuar operative dhe profesionale u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 2 autorëve J. K., 18 vjeç dhe K. B., 16 vjeçe, të dy banues në Lushnjë.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale spraji lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.



