Harresa nga PD dhe ‘ringjallja’ e Havzi Nelës (VIDEO)

Harresa nga PD dhe ‘ringjallja’ e Havzi Nelës (VIDEO)

Havzi Nela, poeti që sfidoi dikur me penën e tij regjimin komunist, sot ka marrë famën e një heroi të demokracisë, të cilën nuk e pa dhe jetoi kurrë në Shqipëri.

Pikërisht kjo është pikëpyetja e madhe. Pse e djathta shqiptare dhe jo vetëm i ka kushtuar kaq shumë rëndësi kësaj figure e sidomos në vitet e fundit.

Për të gjetur arsyen, kontrollojmë në arkivat e Bibliotekës, saktësisht tek Rilindja Demokratike, gazeta afër Partisë Demokratike.

Havzi Nela përkujtohet çdo 10 gusht, por nga viti 1992 deri në vitin 2001, poeti nuk përmendet në asnjë rresht, edhe pse shkrimet për ish-të përndjekurit politikë nuk mungojnë.

Vëllai i Havzi Nelës, Shkuri Nela na tregon se në vitet e para të demokracisë ka patur vështirësi për të publikuar poezitë e tij, prej frikës por dhe censurës.

Për herë të parë, Havzi Nela përmendet nga Visar Zhiti në këtë botim të datës 11 gusht 2002. Bie në sy se shkrimi është lënë në faqen e fundit të asaj gazete. Një përkujtim ndaj Havzi Nelës, me një shkrim në njërën faqe dhe poezitë në faqen tjetër ku e para spikat “O Liri, o Vdekje”.

MCN kontaktoi me Visar Zhitin, por ai nuk pranoi ftesën për një prononcim.

Nga vëzhgimi i botimeve, spikat fakti se Rilindja Demokratike prej vitit 1998 personazhin më të sulmuar pas Fatos Nanos ka patur Edi Ramën, atëhere si ministër kulture, ndërsa më pas sulmet u shtuan pasi u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.

Pikërisht, babai i Edi Ramës, Kristaq Rama ka qenë ndër firmëtarët në vitin 1988 për ekzekutimin me varje të Havzi Nelës, por kjo fillimisht nuk përmendet në përkujtimoren e Visar Zhitit.

Vitet e fundit, kur Partia Demokratike në një situatë të vështirë po kalon 10 vitet e fundit në opozitë, e ka përdorur shpesh figurën e Havzi Nelës për të sulmuar kryeministrin Edi Rama, por duke organizuar edhe aktivitete të veçanta.

Për ish-gruan e tij, Lavdie Nela, e djathta nuk ka bërë sa duhet për të kujtuar Havzi Nelën, duke e lënë me një bust modest para shkollës me emrin e poetit.

Ajo ka një apel për politikanët, duke u kërkuar të mos bëjnë më politikë me emrin e Havzi Nelës.

Një tjetër anë të medaljes jep i vëllai, Shukri Nela, i cili thotë se është ftuar rregullisht nga Partia Demokratike në aktivitete për Havzi Nelën, por merita i jep vetëm Sali Berishës.

Figurën e tij, nuk lë pa e përmendur edhe Emri Vata, ish-kandidati për kryebashkiak i opozitës për këto zgjedhje në Kukës i cili e përdori shumë pak figurën e tij para elektoratit. Ai shprehet i bindur se Havzi Nela nuk është harruar nga demokratët, dhe do të vijohet të nderohet.

Në Kukës, sheshi ku u varr Havzi Nela sot nuk mund të identifikohet, por për qytetarët ai është një hero, ndërsa për angazhimin e Partisë Demokratike për ta kujtuar figurën e tij janë të ndarë.

Megjithatë, ende nuk është hedhur dritë mbi të vërtetën e plotë për Havzi Nelën. Pse regjimi në ditët e fundit të tij duhet të varte një poet i cili vetëm shkruante, kjo e vërtetë sot fle prej vitesh në një vend.

Familjarët kërkojnë faljen e kryeministrit, por ky i fundit disa vite më parë tha se nuk është i bindur se babai i tij ka firmosur. Por, liderët e djathtë e jo vetëm, Sali Berisha, Lulzim Basha apo Ilir Meta, vrapojnë të çojnë në piedestal figurën e Havzi Nelës për të goditur Edi Ramën.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy