Është ekstraduar drejt Rusisë shtetasi Igor Kokunov pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullim të procesit.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV avokati i shtetasit rus, Isuf Shehu, tha që Ministria e Drejtësisë ka treguar indiferentizëm dhe ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ministria e Drejtësisë ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që për sa i përket rëndësisë së saj është mbi ligjin. Ministria e Drejtësisë duhet t’i bënte sytë katër dhe të vihej në dijeni për shprehjen nga ana e saj në lidhje me kërkesën që kishte bërë zyra jonë, në lidhje me pezullimin e procedurave të ekstradimit drejt Federatës Ruse. Ministria e Drejtësisë s’e kreu diçka të tillë, u tregua tërësisht indiferente, për pasojë shtetasi rus Igor Kukonov, klienti jonë, u ekstradua ose më saktë u dëbua drejt Federatës Ruse. Nuk vëmë ne strukturat përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e GJK janë në vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese. Vendimi i GJK është marrë në 17:15 të ditës së djeshme. Dëbimi i Kukunov ka ndodhur në orën 18:50 minuta. Ministria e Drejtësisë kishte 1 orë e 40 minuta afërsisht për t’u shprehur dhe vendosur për pezullimin e esktradimit”.
Komunikimi nga GJK ka qenë formal përmes email-it. I është adresuar drejtpërdrejt Ministrisë së Drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm, që për shkak të pozicionit të vet, është i detyruar të ketë dezhurn 24/7 për këto problematika. I është komunikuar Avokatit të Shtetit, Zyrës së Interpolit. Institucionet përgjegjëse janë vënë në dijeni. Unë personalisht kam informuar në mënyrë të drejtpërdrejt përmes whatsappit ministrin e Drejtësisë, dhe i kam komunikuar vendimin e GJK. Nëse ka probleme të mos komunikimit mes institucioneve MD nuk kishte përse të lejonte ekstradimin e klientit tonë drejt Federatës Ruse, jashtë orarit zyrtar. Duhet ta kryente brenda orarit 8 me 16:00. Ministri ka qenë indiferent!”
Shehu theksoi se pasojat janë të rënda, pasi klienti i tij Kukunov vuan nga probleme të rënda shëndetësore.



