Ish-drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj, thotë se Ardi Veliu nuk u dorëhoq nga drejtimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama për shkak të përgjimeve që e lidhnin me grupet kriminale.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se dorëheqja e tij ka qenë e detyruar pavarësisht nga mënyra si thuhet, për shkak të atyre që pritet të dalin, prej implikimeve të tij me bisedat në rrjetet e fundit që janë përgjuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Nuk ka të bëjë më shumë me Taulant Ballën por me atë që Kryeministri shqiptar po përdor si strategji, për të gjithë të përfolurit e tij, duke nisur nga ministrat që largoi nga kabineti.
Kjo tregon se Kryeministri ka dijeni për të gjithë ata që i krijojnë shqetësime Kryeministrit shqiptar. Kjo është arsyeja kryesore që është larguar Ardi Veliu.
Ai është shkarkuar nga Kryeministri, pavarësisht se është paraqitur si dorëheqje. Ardi Veliu ka pasur akuza konkrete kur ka drejtuar Policinë Shqiptare, ka ardhur prej konjukturave në krye të Policisë së Shtetit, për shkak të lidhjeve me rrjetet mafioze.
Siç u publikua vëllai i Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj, se është rast unik që Veliu merr tre grada në tre vjet. Kishte të bënte për shkak të ministrit të asaj kohe, për shkak se vëllai i tij ishte shok me Ardi Veliun.
Edhe veprimet e tij gjatë kohës që ka qenë në Policinë e Shtetit kanë qenë të dyshuara.
Një njeri që akuzohet nga shteti amerikan si Klement Balili i vihet dhe etiketa si Escobari i Ballkanit dhe Veliu shkon e bën sikur e dorëzoi, një akt joprofesional, por akt që në një farë mënyre u bë për ta ngritur atë.
Gjatë karrierës së tij publike, ka treguar që herë pas here ka bërë lëvizje të tilla dhe ka qenë nën shoqërinë e personave me ndikim dhe rekorde kriminale.
Largimi i tij ka të bëjë me përgjimet me grupe kriminale. Nga të gjithë drejtorët e policisë vitet e fundit, Veliu ka qenë më i anatemuari nga opozita, në dallim nga paraardhësit e tij.
Është akuzuar drejtpërdrejtë nga opozita se është i lidhur me eksponentë të botës së krimit. Këto akuza janë vërtetuar për të gjitha palët.
Patjetër që Veliu është pjesë e ndonjë përgjimi, i implikuar në ndonjë shkëmbim informacioni, por nuk di të them se mund të shkojë deri para drejtësisë.
Mënyra si u largua tregon se ka informacione nga Prokuroria dhe normal i ka dhe Rama dhe Balla dhe kanë bërë të mundur largimin e tij, që nëse nesër do të goditet mos të ketë aq bujë sa do ishte në detyrë.
Ndaj bindjen se Ardi Veliu nga ana profesionale nuk ka qenë në shumë nivel, se nuk mund të përdorë aplikacione dhe të mendojë se nuk janë të përgjueshme.
Se sa është vënë në funksion të grupeve kriminale, nuk di ta them një gjë të tillë. Por kam bindjen se Veliu është pre e këtij aplikacioni.



