Një ditë pasi u identifikua trupi i pajetë që u gjet i mbytur në ujërat detare të Vlorës, familja e 22-vjeçarit Sokol Shytre në Kurjan të Fierit, kërkon drejtësi për jetën e djalit të tyre. Ditën e sotme, familja Shytre ka zhvilluar ceremoninë mortore në këtë fshat, ndërsa pretendimet e tyre janë se, 22-vjeçari është vrarë me dashje dhe më pas është hedhur në det.
Ndërkohë, ekspertiza ka dalë në përfundim se viktima ka hematoma në kokë çka çon në dyshimet për një vrasje të mundshme, ndërsa pista tjetër është ajo e një ngjarje aksidentale.
Sipas familjarëve të 22-vjeçarit, mësohet se ai ka dalë nga shtëpia të dielën në darkë për të takuar shokët për një kafe dhe nuk është kthyer më në banesë. Gjithashtu rezulton se 22-vjeçari pjesën më të madhe të kohës qëndronte në Kurjan me nënën e tij pasi babai ishte emigrant në Greqi. Ndërkohë, sipas policisë, dyshohet se i riu mund të kishte mbi 36 orë i mbytur.



