
Irani kërkon të tërheqë 300 milionë euro nga llogaritë në Gjermani para se të hyjnë në fuqi sanksionet, raporton gjermania “Bild”. Por SHBA dhe Izraelit po shtojnë presionet që Berlini ta ndalojë këtë gjë.
Zyrtarët iranianë i kanë thënë Autoritetit Mbikëqyrës Financiar në Gjermani se këto para i nevojiten “për t’ua kaluar qytetarëve iranianë të cilëve u duhen para kesh kur udhëtojnë jashtë vendit, duke pasur parasysh faktin se kartat e tyre të kreditit nuk njihen”, shkruan “Bild”.
Autoriteti Mbikëqyrës Financiar në Gjermani e ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë dhe ka vënë në dijeni edhe ministrin e Jashtëm dhe atë të Financave në kabinetin “Merkel”.
Irani ka llogari të tij në Europaeisch-Iranische Handelsbank, e cila ka qenë subjekt i sanksioneve në periudhën 2010-2016, me dyshimin se nëpërmjet saj financohej programi bërthamor në Iran.
Shërbimet sekrete amerikane dhe izraelite thonë se paratë mund të përdoren nga Irani për të financuar grupe të armatosura në Lindjen e Mesme.
“Jemi thellësisht të shqetësuar se regjimi në Iran po përpiqet të lëvizë qindra milionë euro kesh nga një bankë gjermane në Iran. Ne e nxisim qeverinë gjermane ta ndalojë këtë”, i ka thënë ambasadori amerikan gazetës “Bild”.
Ndërsa zyrtarët gjermanë janë shprehur se nuk kanë dijeni mbi plane të tilla.



