Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar vendimin e SPAK për mosfillimin e hetimeve dhe ka pranuar ankimin e banorëve të Rrjollit.
Gjyqtarja Flojera Davidhi ka urdhëruar zyrtarisht Prokurorinë e Posaçme që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet lidhur me projektin “Baks Bay”.
Banorët e zonës, të cilët ndodhen në protestë prej 8 muajsh, ku nuk kanë munguar as përplasjet fizike me policinë dhe rojet e sigurisë, pretendojnë se resorti po ndërtohet në tokë të vjedhur dhe në kundërshtim të plotë me ligjin.
Pas këtij vendimi të GJKKO-së, SPAK është i detyruar të hetojë akuzat e ngritura ndaj shtetasit Fatmir Shpellza për falsifikim dokumentesh dhe kompanisë “Gener 2” për ndërtim të paligjshëm e korrupsion.



