Pasi solli ATM-në e parë të Bitcoin në Kosovë, një kompani private lajmëron se nga sot (ditën e Mërkure më datë 26 Korrik 2017) në orën 09:00 Prishtina ka ATM-në e saj të parë funksionale. ATM-ja ku qytetarët nga Kosova dhe vendet e rajonit do të mund të blejnë Bitcoin do të vendoset pranë Qytezës Pejton, Rr. Radovan Zogoviq, në një ambient të qetë dhe të dizajnuar posaçërisht për të. Kompania private hap dyert për të gjithë të interesuarit që duan të dinë më shumë rreth kësaj ATM-je. Një staf i dedikuar ofron informacion dhe sqarim për mënyrën e funksionimit të saj dhe jo vetëm. Transaksionet e para do të kryhen vetëm në Bitcoin, ndërsa në të ardhmen ajo do të pasurohet edhe me 10 monedha të tjera virtuale. Monedhat virtuale bazohen mbi një teknologji të re të quajtur blockchain. Mbi 1.4 miliard dollar janë investuar në teknologjinë blockchain në vetëm tre vitet e fundit sipas Forumit Ekonomik Botëror. Është projektuar se deri në 2027-ën 10% e GDP-së globale do të jetë e ruajtur në platformat blockchain. Kompania ka deklaruar se së shpejti Tirana dhe Shkupi gjithashtu do të kenë një ATM të monedhave virtuale.



