
Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i NAREA tha në studion e emisionit “MCN Economy” se janë 266 611 banesa bosh dhe jo 356 152 apartamente.
Sipas Pipirias, në Shqipëri ka pasur lëvizje demografike dhe se përdorimi i banesave të caktuara varet dhe nga sezoni turistik.

Sipas Censit janë 356 152, nuk thotë gjë apartamente, por banesa të zakonshme. Mund të jenë shtëpi individuale, apo shtëpi të ngjitura bashkë, apo shtëpi në rendin taracor. Censi i ndan në katër kategori.
Do duhet të kryqëzojmë informacionin. Po të pyesim në fund të 2023, nga të dhënat që ne kemi nga OSHEE rezulton që janë 89 541 kontrata të pezulluara. Janë banesa, shtëpi të braktisura. Këtij 356 152 po t’ i heqim këtë 89 541 na rezulton se duhet të jenë banesa bosh 266 611.
Kjo është shifra që duhet të diskutojmë. Dhe në këtë raport, me të dhënat e Censit nuk është 39.2% mesatarja, por duhet të jetë 24.6-25% mesatarja e banesave bosh nga totali që ka gjetur Censi.
Kudo në Shqipëri ka pasur emigracion. Ka pasur lëvizje, ndryshime demografike, lëvizje urbane. Nëse quan një shtëpi bosh në Kukës, në Tropojë, në një fshat, dhe thua obobo qenka problem, unë them që jo, nuk është problem.
Një pjesë e Shqipërisë është kthyer në Shqipëri turistike. Në sezone të caktuara i ke bosh disa fshatrave, Voskopojë, Dardhë. Kanë sezonalitetin e vet dhe përdorimin e vet në varësi të sezonit.
Do duhet të analizojmë dhe duhet të hyjë në ndihmë ASHK-ja, sa nga këto janë pronë e dytë, e tretë?
E dimë që 17-18 mijë duhet të jetë AirBnN, ka qenë 16 700, mund të jetë pak më lart sot.
Të bëjmë politikë dhe të marrim vendime të duhura se si t’i nxjerrim këto banesa në treg. Dhe si të ulim barrën e strehimit në Shqipëri. Unë besoj se një pjesë nuk dalin në treg ose dalin me shumë vështirësi për shkak të barrës së lartë të taksimit.



