Një statujë e Vladimir Lenit së shpejti do të ngrihet në qytetin gjerman të Gelsenkirchen-it, pas një beteje të gjatë ligjore mes një partie të majtë dhe autoriteteve lokale.
Gelsenkirchen, do të jetë qyteti i parë gjermano-perëndimor që do të ketë një statujë të themeluesit të partisë komuniste ruse.
Dikur statujat e Leninit ishin të vendosura në sheshet e qyteteve dhe komunave në Gjermaninë lindore, por as edhe një statujë s’ishte ngritur ndonjëherë në një hapësirë publike në Gjermaninë perëndimore.
Një gjykatë i ka dhënë lejen Partisë Marksiste-Leniniste Gjermane, MLPD-së, për të vendosur statujën jashtë selisë së saj. Autoritetet lokale ishin munduar të ndalonin vënien e statujës, duke urdhëruar prishjen e ngritjes së një piedestali prej betoni, ku do vendosej statuja.
Ata argumentonin se ajo do pengonte pamjen e një ndërtese historike dhe mbi të gjitha do të binte ndesh me rregullat e ruajtjes së monumenteve.
Kreu i MLPD-së, Gabi Fechtner deklaroi për mediat gjermane: "Ne jemi vërtet të lumtur. Gelsenkirchen është qyteti i punëtorëve dhe Lenini këtu përshtatet shumë mirë”.
Një zëdhënës i komunës tha se autoritetet lokale do të kundërshtojnë vendimin e gjykatës.
Statuja, do të zbulohet me datë 14 mars, gjatë një ceremonie që pritet të marrin pjesë mbështetës të së majtës nga i gjithë vendi.
Kjo statujë është e ndërtuar me material gize, e lartë prej 2.15 metrash dhe e realizuar në vitet 1930 në Bashkimin Sovjetik. Ajo u mor nga një qytet i Republikës Çeke dhe u ble përmes një ankandi të zhilluar në internet, ndërsa shuma ende nuk është zbuluar.
MLPD u themelua në vitin 1982 dhe është nën survejim nga inteligjenca gjermane, e cila e konsideron atë një parti ekstremiste dhe antikushtetuese./The Guardian/



