
Rusia është në procesin e shkëputjes nga pjesa tjetër e botës”. Kështu deklaroi për mediat Presidenti francez Emmanuel Macron, duke vënë në dukje se Moska po përshkallëzon tensionet, po shantazhon dhe madje po kërcënon të përdorë armë bërthamore.
Sipas Presidentit francez, ky zhvillim vjen kryesisht për shkak të vështirësive me të cilat po përballet Rusia, si në planin ushtarak, ekonomik dhe diplomatik.
Në ushtri, sepse ushtria ukrainase po rimëkëmb territoret, në atë ekonomike sepse i nënshtrohet sanksioneve të rënda ekonomike dhe në atë diplomatike sepse shumë vende, mes tyre Kina dhe India, janë në favor të ndërprerjes së armiqësive.
Në një intervistë për një televizion francez, pak para largimit nga samiti i OKB-së në New York, Emmanuel Macron nënvizoi se “detyra jonë është të qëndrojmë në të njëjtën linjë”, duke i ofruar ndihmë Ukrainës dhe duke bërë presion ndaj Rusisë për t’i gjetur një zgjidhje paqësore çështjes ukrainase e cila do të bazohet në respektimin e integritetit të Ukrainës.
I pyetur për deklaratat e Putinit për përdorimin e “të gjitha mjeteve” nga Rusia nëse kërcënohet, Presidenti francez tha se nuk hyn në diskutime për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në nivelin bërthamor, duke theksuar se qëllimi i tij është “logjika” që të çon, për arritjen e paqes.
Lidhur me problemet energjetike, Macron tha se Europa dhe SHBA janë në konsultime dhe iniciativa që synojnë vendosjen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë në disa nivele të arsyeshme.



