Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot një vizitë në Veri të Kosovës, raportojnë mediat në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Veton Elshani. Mësohet se Kurti shoqërohej nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe është takuar me efektivë policie që shërbejnë në këtë qytet. Kujtojmë që situata mbetet e tensionuar, ku pak pas mesnate persona të panjohur kanë hedhur grantë dore në afërsi të komunës së Mitrovicës. "Bakllava e ëmbëlsira për policët tanë në veri të vendit. Bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendësin e tij, Blerim Gashani, vizituam njësitet tona te Kroi i Vitakut. Përgatitja e lartë profesionale është garanci për zbatimin e ligjit dhe për sigurinë si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Diskutimin e vazhduam edhe në qendrën 'Belvedere'", ka shkruar ai në Facebook.



