
Një foto si ajo e Aylan Kurdit pak vite më parë, vogëlushit sirian që u gjet i mbytur në brigjet e Turqisë, ka tronditur sërish botën. Fotoja e shkrepur në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-ve paraqet një baba dhe vajzën e tij 2 vjeçe, trupat e të cilëve kanë dalë në breg, pas tentativës së dështuar për të emigruar në mënyrë klandestine drejt Amerikës. Fotoja e tyre duket e destinuar për t’u bërë simboli i tragjedisë së emrigrantëve të Amerikës Qendrore, siç u bë Aylan Kurdi simbol i emigracionit tragjik drejt Europës.
Emigranti në foto është Oscar Alberto Martinez dhe vajza e tij vetëm 2 vjeçe, Angie Valeria. Të dy janë me fytyrën të zhytur në ujin e lumit, rrjedha e të cilit i ka nxjerrë në breg. Vogëlushja është strukur brenda bluzës së të atit, mesa duket një përpjekje e dëshpëruar e këtij të fundit për ta shpëtuar.
Mendohet se ata janë mbytur të dielën e shkuar, ndërsa trupat janë gjetur një ditë më pas. Pritet që trupat e tyre të kthehen në atdhe brenda pak ditësh. Ndërkohë, në El Salvador, rasti i tyre po përdoret për të ndërgjegjësuar njerëzit të mos e ndërmarrin një udhëtim të tillë. Ministri i Jashtëm i El Salvadorit u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit të vet të mos rrezikojnë duke u përpjekur të emigrojnë drejt SHBA-ve në mnëyrë të paligjshme.
Fotoja është në çdo emision në kanalet televizive dhe mediat online të SHBA-ve. Por nga administrata nuk ka pasur asnjë reagim. Ndërkohë, shefi i agjencisë federale që ka nën kontroll kampet në kufi me Meksikën, ku prindërit emigrant mbahen të ndarë nga fëmijët e tyre, është detyruar të dorëhiqet pasi një grup avokatësh denoncoi kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë minorenët.
Agjentët federalë në SHBA që ruajnë kufirin kanë gjetur katër viktima në afërsi të Rio Grandes, në kufi me Meksikën. Viktimat janë një grua, dy fëmijë dhe një bebe e porsalindur. Trupat e tyre u gjetën jo shumë larg luginës Rio Grande, në Teksas, ku është në ndërtim e sipër një seksion i murit të ideuar nga Donald Trump. Autoritetet thonë se gruaja dhe fëmijët mund të kenë vdekur për shkak të dehidratimit dhe ekspozimit për një kohë të gjatë në temperaturat e larta.



