Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka zhvilluar një mbledhje të posaçme me specialistë dhe inxhinierë nga Instituti i Ndërtimit.
Ministrja Balluku deklaroi se janë 500 ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa tha se do të verifikohet dhe vlerësohet çdo ndërtesë. Ajo bëri një bilanc të përgjithshëm, ndërsa shtoi se të gjitha akset rrugore në vend janë të aksesueshme, përfshirë edhe zonat ku aktiviteti sizmik ishte i lartë.
Sakaq Balluku bëri thirrje që sizmiologët të jenë më të kujdesshëm me deklaratat e tyre, në mënyrë që të mos përhapin panik te popullata.
“Aktet e verifikimit duhen mbyllur sa më shpejt për 500 ndertesat e deklaruara me pasoja nga termeti e me pas të vazhdojmë me aktet e vlerësimit. Jemi me fat nuk kemi pasur viktima, jemi me fat se s’kemi pasur dëme të mëdha. Do jetë një punë impenjative dje kemi qenë në terren që kur gdhiu dita deri në mesnatë, kështu do jemi deri sa të përfundojmë aktin e fundit te verifikimit për çdo banesë, akt verifikimi që i jep sigurinë njerëzve për të hyrë në ndërtesa më pas do kalojmë në aktet e vlerësimit se shteti do marrë përsipër të gjithë dëmshpërblimin”, tha ministrja.
Ndërkohë kreu i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu tha se ndërtimet e para 2013-ës rezistuan ndaj lëkundjeve sizmike.
Ministria e Infrastrukturës deklaron se të gjitha akset rrugore janë të aksesueshëm, përfshirë edhe ato zona që u prekën nga tërmeti i 21 shtatorit, sikurse edhe portet dhe aeroportet e Shqipërisë po kryejnë funksionet me normalitet të plotë.



