
Dosja “Gërdeci”, për të cilën javë më parë, GJKKO nuk rihapi hetimet për ish-ministrin Fatmir Mediun, bëri që sot Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) të ankimoj vendimin e GJKKO.
Mësohet se SPAK ka dorëzuar zyrtarisht ankim kundër vendimit të gjyqtarit Erjon Çela për rigjykimin e Fatmir Mediut.
SPAK kërkon rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës dhe nisjen e gjykimit.
Gjykata e Shkallës së Parë kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rrëzuar kërkesëne SPAK për rihapjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, me argumentin se ndjekja penale u parashkrua dhe se prokuroria nuk e hetoi atë për 10 vjet.
GJKKO-ja cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.
Në vendim thuhet gjithashtu se “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.
Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.
Më 6 maj, familja e një 7-vjeçari, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit ka depozituar në SPAK – 13 vjet pas tragjedisë, kërkesën për ndjekje penale të Fatmir Mediut.



